Shteti dhe individët që e përbëjnë atë, varen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga arsimi që ata ndjekin. Nuk është rastësi që të gjithë studiuesit, duke filluar nga Platoni e deri tek pedagogët bashkëkohorë, nuk u ndalën thjesht në rëndësinë e edukimit, por këmbëngulën në nevojën dhe përpjekjet për një arsim thelbësor. Mund të flasim për tre nivele edukimi: nivelin e informacioneve, nivelin e njohurive dhe atë formues. Niveli i pare përbën bazën dhe është i thjeshtë. Niveli i dytë është më i lartë dhe përbën përpunimin e koncepteve e të njohurive në njësi të organizuara. Të dy nivelet sëbashku përbëjnë arsimin. Niveli i tretë është më i lartë dhe më tepër kërkues dhe përbën atë që ne e quajmë formim ose kultivim. Këtu flasim për formimin e personalitetit të çdo njeriu, për edukimin e tij, domethënë shndërrimin e tij në një individ, në një qenie të pavarur, të përgjegjshme dhe krijuese. Kalimi nga arsimi tek formimi është ajo çfarë kërkohet në edukimin e një vendi. Ky kalim arrihet përmes proceseve të vështira, delicate e komplekse me qëllim formimin e natyrës njerëzore. Në veçanti, kjo arrihet me formimin e individëve të përgjegjshëm, me parime dhe vlera që kapërcejnë utilitarizmin për të arritur ndjesitë kritike (metafizike, morale, sociale, njerëzore, estetike), të cilat e çojnë njeriun drejt ndërgjegjësimit të vetes së tij dhe të botës. Arsimi, si zhvillim i inteligjencës dhe aftësive mendore të njeriut, pra, si kultivim i mendjes, është parakushti për kultivimin e shpirtit. Mendja dhe shpirti bëjnë sëbashku frymën intelektuale, atë të cilën duhet ta kultivojë një sistem arsimor i realizuar, një edukim thelbësor, pasi intelekti është ai që e veçon njeriun nga qeniet e tjera.

