Dita e gjuhës greke tashmë Botërore: një sukses i madh për Greqinë

Vendosja e një feste botërore për gjuhën greke ka rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo, sepse, në këtë mënyrë, jo vetëm që gjuha greke vihet në pah si vlerë kulturore botërore, por edhe për prestigjin që përfton jashtë Greqisë festimi i gjuhës greke si një institucion. Përmes një feste të mirorganizuar për gjuhën greke, qytetarë grekë dhe shumë të huaj do të mund të jenë në gjendje të vlerësojnë marrëdhëniet e saj me kultivimin e mendimit dhe marrëdhënien e saj me kulturën. Ata do të mundin të vlerësojnë edhe praninë universale dhe diakronike të saj. Përse shpallja e Ditës Botërore të Gjuhës Greke dhe nevoja që festimet për nder të kësaj dite të kapërcejnë kufijtë e ngushtë gjeografikë grekë janë kaq të rëndësishme? Kultura greke, si kulturë që ka lënë gjurmë të thella në kulturën evropiane dhe më gjerë, në atë perëndimore, zë një vend të veçantë në kulturën botërore. Në shkrimet e mia unë vazhdoj të theksoj se kultura greke është, para së gjithash, “një kulturë e fjalës së shkruar”. Ajo mbështetet kryesisht në tekstet tona të shkruara në gjuhën greke me një alfabet me traditë të pandërprerë që prej 28 shekujsh, alfabetin grek (Galileu e quajti atë “zbulimi më i madh i njeriut”). Prandaj marrëdhënia e gjuhës greke me kulturën greke është e drejtpërdrejtë, pasi ajo përbën shprehjen kryesore të saj. Në çdo diskutim që kryhet për gjuhën greke dhe për rëndësinë e saj të veçantë, nuk duhet të harrojmë se të gjitha gjuhët e popujve si sisteme komunikimi janë të barabarta. Ky përfundim është i vërtetë dhe bazohet në mësimet e shkencës gjuhësore. Gjithashtu po aq I vërtetë është fakti që disa gjuhë, që kanë mbartur forma të përparuara të qytetërimit njerëzor, njohën një kultivim që i veçon nga të tjerat. Gjuhë veçanërisht e kultivuar është greqishtja, pasi është formuar për më shumë se 30 shekuj për të shprehur koncepte të thella të filozofisë dhe të shkencës, ide të qarta të fjalës politike dhe institucioneve shtetërore, koncepte të holla të fjalës ungjillore dhe të teologjisë si edhe nocione të ndërlikuara të mendimit, të dramës antike, të prozës dhe të poezisë. Pra. është moralisht dhe kulturalisht e drejtë që, sikurse gjuhë si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, rusishtja, kinezishtja dhe disa të tjera si afrikano-suahilishtja, po edhe portugalishtja të kenë një ditë të përcaktuar për festimin e tyre botëror, të mos mungojë në mesin e këtyre gjuhëve të dalluara edhe “Dita Botërore e Gjuhës Greke”. Në errësirën, që duket se po mbulon botën në këtë kohë në nivel ndërkombëtar, kjo arritje e Greqisë vjen si një rreze drite, drita e vetme që zbut shpirtin e njerëzve kudo në botë: kulturën me stolinë e saj të çmuar – gjuhët njerëzore.