Qytetërimi grek ka qenë qytetërim i gjuhës së shkruar. Të gjitha arritjet intelektuale dhe të përparimit mendor, të cilat përbënin thelbin, zhvillimin dhe çastet kulmore të këtij qytetërimi, janë të shprehura, të sanksionuara në shkrim. Si rrjedhojë, falë shkrimit, u arrit të shprehen, të ruhen, të përhapen dhe të mbrohen një sërë përftesash apo produktesh intelektuale, ndër to edhe mendimet e filozofëve, të shkencëtarëve, të historianëve, të politikanëve, të oratorëve grekë, etj. Veprat teatrore të krijuesve të mëdhenj, poezia, vendimet dhe ligjet e shtetit
dhe të institucioneve u përcollën vetëm nëpërmjet shkrimit. Vlen për t’u përmendur fakti se, nëse populli grek nuk do të kishte zotëruar privilegjin e të pasurit të gjuhës së shkruar që në kohë të hershme, nëse ata nuk do të kishin krijuar alfabetin grek, aq të admirueshëm në koncept dhe funksion, qytetërimi grek, jo vetëm që nuk do të kishte njohur arritje, lulëzim dhe përhapje, por do të kishte mbetur i panjohur si për ne, edhe për të gjithë botën mbarë. Ky fakt do të ndikonte dhe do të sillte pasoja edhe në vetë krijimin e qytetërimit evropian. Por nuk ishte vetëm njohja e shkrimit ajo e cila favorizoi ruajtjen dhe zhvillimin e qytetërimit grek. Po kaq I rëndësishëm ishte dhe fakti që, për gjuhën e shkruar të këtij qytetërimi, u krijua një mënyrë e veçantë për ta mbajtur atë gjallë. Kjo gjë e veçantë është krijimi i alfabetit i cili, me strukturën dhe funksionet specifike të tij, mundi t’i shërbente shkëlqyeshëm gjuhës së shkruar. Alfabeti, që u shpik dhe u zhvillua, ishte një alfabet i vërtetë, karakteristikat kryesore të të cilit ishin: paraqitja me pak shkronja i gjithë asaj pasurie tingullore në artikulim (ai përbëhet vetëm nga 24 të tilla); aftësia e larmishme kombinuese e shkronjave të tij (ai ka pjesë përbërëse zanoret, të cilat në mënyrë mjaft të thjeshtë i bashkëngjiten bashkëtingëlloreve për të formuar rrokjet, aq të rëndësishme për çdo fjalë). I pajisur me këto karakteristika, alfabeti grek rezultoi i thjeshtë në të mësuar e i lehtë në përdorim, ndaj dhe njohu përhapje të gjerë duke përftuar kështu vlerësimin si “alfabeti më demokratik”…
Pjesë e shkëputur nga hyrja e librit të profesorit të gjuhësisë,
- G. Babiniotis “Alfabeti grek”

