Njerëzit, kudo që ndodhen mbi tokë, kanë një tipar të përbashkët: që në moshë të vogël ata mësojnë gjuhën e tyre amtare. Aftësia e të përceptuarit dhe gjuha amtare janë elemente dalluese specifike vetëm të qenies njerëzore, dhe, si të tilla, në sajë të krijimit të shoqërive, këto i sigurojnë njeriut “cilësinë e jetës”. Këto tipare dalluese përbëjnë, në fakt, diferencimin cilësor nga të gjitha qeniet e tjera të gjalla. Nëpërmjet gjuhës së tij amtare, njeriu është i aftë të shprehë botën, por kjo ndodh pasi, së pari, ai ta ketë konceptuar atë në mendjen e tij. Njohja e gjuhës amtare nuk përbën thjesht një mjet komunikimi (“një perceptim instrumental”), ajo është, në të njëjtën kohë, një përbërës thelbësor i identitetit të tij dhe, nëpërmjet ngarkesës kuptimore historike të fjalëve që përdor, shpreh kulturën e tij. Njohja e gjuhës amtare është mënyrë e veçantë e të menduarit dhe mentalitet i popullit, që e bart; është mënyra sesi e sheh dhe shpreh ai botën e tij, është mendimi i tij, është atdheu i tij. Ky karakter vlerësues e bën çdo gjuhë të jetë një dimension i veçantë kulturor. Çdo gjuhë amtare, si shprehje diakronike e një populli të tërë, përbën një vetëvlerësim. Të gjitha gjuhët e botës formojnë një grup konceptimi, organizimi të veçantë dhe, si të tilla, janë shprehje e diversitetit të botës. Ekzistenca e një sërë vlerash sa të barabarta, po edhe aq të ndryshme, të pranishme në shumë gjuhë, të gjitha së bashku kompozojnë atë që quhet “Ekologjia e gjuhës”. Ky diversitet gjuhësor përbën edhe pasurinë gjuhësore të patjetërsueshme të popujve, trashëgiminë më të vyer, e cila meriton respektin tonë sublim. Së fundi, nuk duhet të harrojmë se, gjatë gjithë jetës sonë, që nga momenti që lindim e deri në pleqërinë e thellë, ne mbetemi përgjithmonë “nxënës” të gjuhës sonë amtare dhe zotërimi i saj në një nivel kërkues është përherë “Vepra e jetës”.