“Language is not properly regarded as a system of communication. It is a system for expressing thought, something quite different…”

NOAH CHOMSKY, “On nature and language”

Mënyra se si zakonisht ne, mësuesit, shohim dhe ua mësojmë gjuhën nxënësve tanë, është një mënyrë tepër formale. Si rrjedhojë, me këtë lloj këndvështrimi dhe me këtë lloj të të mësuari, kur vjen puna për komunikimin e pjesës stilistike të gjuhës, ajo nuk shkon e plotë tek nxënësit, sepse thelbi i gjuhës humbet. Pra, humbet marrëdhënia e drejtpërdrejtë dhe e pandarë e saj me procesin e të menduarit, me botën e koncepteve dhe të kuptimeve për të cilat gjuha, fjalët, fjalitë, teksti ekzistojnë si të tilla. E thënë ndryshe, duke pare pemët, ne humbasim pyllin. Kësisoj, ajo çfarë sjell një formalizëm i tillë, është veçanërisht flijimi thelbit, i fuqisë dhe i bukurisë së gjuhës, është sakrifikimi i “magjisë së gjuhës”.

Tashmë, nga ana gjuhësore, tek njeriu, gjuha vlerësohet si një system i brendshëm e gjithëpërfshirës i shqisës së të kuptuarit, system me të cilin prodhohet dhe përftohet një numër i pafundëm fjalish. Dhe kjo është mënyra me të cilën ne, njerëzit, komunikojmë nëpërmjet gjuhës. Ne jemi në mbështetje të plotë (në Gramatikën tonë me pedagogun Christo Kleri) të idesë që baza dhe boshti i fjalisë është FOLJA, e cila, nga ana kuptimore- sintaksore përcaktohet apo mbështetet nga emrat të cilët, ndryshe, ne mund t’i quajmë edhe “përcaktorë”. Pra, folja, si e tillë, detyrimisht mbështetet nga kryefjala dhe mundësisht nga një apo dy kundrinorë. Më tej, në përdorimet kuptimore- sintaksore, këta përcaktorë- emra mbështeten apo shoqërohen nga nyjat, mbiemrat, përemrat si dhe format e pashtjelluara foljore (përcjellorja), kurse për sa u përket foljeve mbështeten apo plotësohen, apo shoqërohen nga ndajfoljet, parafjalët, (shprehjet parafoljore), lidhëzat (fjalitë ndajfoljore) dhe përcjelloret (ndajfoljore). Bëhet fjalë për elementet që në gjuhësi emërtohen apo njihen si “pjesë të ligjëratës”, që, fatkeqësisht ne mësuesit I anashkalojmë për të treguar se ato u përkasin kategorive bazike perceptuese dhe se janë “pasqyra” e mendimit tonë. Kjo teori e përgjithhme (dhe mësimdhënia e gjuhës) përvijon, paraqet, përshkruan në mënyrë thelbësore dhe të thjeshtë e të qartë atë çka tregon funksionimin e gjuhës në nivelin vendimtar apo përfundimtar, deciziv të fjalisë, (sigurisht me ndryshime në tipologjinë e gjuhëve).

Pra, për gjithçka pika e referimit në fjali është folja, boshti i fjalisë është folja. Ajo është në qendër të sistemit të fjalisë dhe, më tej, rreth kësaj pike referimi, epiqendre, boshti, mendojeni si të doni, vijnë e rreshtohen të gjitha pjesët e tjera të fjalisë që kanë si detyrë të mbështetin foljen apo ta përcaktojnë atë. Pra, të gjithë elementet e tjera jo foljore, mbështetin foljen duke mbështetur kumtin, që ajo përçon. Në çdo formë të komunikimit, element i mbështetur apo i ndriçuar, apo elementi në qendër, që kurdoherë paraqitet i pandryshueshëm, është folja, kurse të gjithë të tjerët rreth tij, drejtpërdrejt apo tërthorazi janë elemente mbështetëse, ndriçuese, plotësuese. Kjo është arsyeja që gjithnjë shprehemi “kryefjala e foljes” dhe kurrë “folja e kryefjalës”. Po kështu shprehemi edhe për “kundrinorin e foljes” dhe kurrë për “foljen e kundrinorit”.

Në bazë të fjalisë qëndron një trini veprimi, apo një treshe vepruese, pjesët e së cilës quhen kryefjalë – folje- kundrinor. Folja në komunikim shpreh çdo formë veprimi. Duke u shtyrë më tej, themi që kuptimi I veprimit është vendimtar sepse në të ngërthehet, apo përqendrohet në vetvete çdo veprim apo gjendje e botës njerëzore. Për rrjedhojë, meqë folja është e tillë (pra ngërthen Brenda vetes veprimin) është e nevojshme të futim në përdorim edhe dy terma të tjerë të lidhur drejtpërdrejt me të (pra me veprimin). Këto dy terma janë: a. burimi i veprimit dhe b. pranuesi i veprimit. Burimi i veprimit është kryefjala, e cila aktivizon, vë në lëvizje, në veprim foljen. Pranuesi I veprimit është kundrinori apo kundrinorët sipas rastit përkatës. Kundrinori apo kundrinorët plotësojnë, mbështesin, apo përmbyllin veprimin (që sipas Platonit “kryhet”). Pa veprimin, pra pa foljen, nuk formohet fjalia (sipas Platonit “ligjërata”). Pa burimin e veprimit, pra pa kryefjalën e foljes, nuk mund të vihet në veprim folja e për rrjedhojë nuk mund të krijohet fjalia. Pa pranuesin, apo produktin e veprimit, domethënë kundrinorin a kundrinorët (në rastet kur kërkohen nga folja) nuk plotësohet veprimi dhe fjalia çalon nga ana kuptimore. Kështu që fjalia e krijuar në këto rrethana nuk ka kuptim.

Për rrjedhojë, krijimi i fjalisë me qëllim dhënien e koncepteve apo dhënien në mënyrë të përmbledhur të kuptimit a thelbit të ideve, ka si parakusht praninë e dy elementeve: të veprimit dhe të mbështetësit, apo plotësuesit të saj që përbëhet edhe ky nga dy nën elemente: burimi dhe pranuesi. Pa mbështetësit, apo plotësuesit kuptimi plagoset, shpërfytyrohet. Pa burimin dhe pranuesin kuptimi humbet rrjedhën logjike.

Gjuhëtarët kinezë kanë një përshkrim tipik, apo original përsa i përket peshës së foljes dhe asaj të emrit. Ata paraqesin dallimet midis foljes dhe emrit në gjuhë. Për gjuhëtarët kinezë folja është “fjala e gjallë”, kurse emir është “fjala e vdekur”. Nuk ka dyshim se me këtë dallim ata duan të theksojnë karakterin dinamik të kuptimit apo përmbajtjes së foljes si “veprim/ akt/ gjendje”, krahasuar me karakterin statik të përmbajtjes kuptimore të emrit. Otto Jespersen në librin “The philosophy of Grammar” 1924, (86) duke vlerësuar marrëdhnien midis foljes dhe fjalisë, këtë dallim e vlerëson shumë “The verb is a life-giving element, which makes it particularly valuable in building up sentences (…).

Duke folur për foljet është e nevojshme të qartësohet dallimi midis foljeve të plota, apo themelore, (si p.sh. bëj, jap, lexoj, dëgjoj, vij, punoj) dhe foljeve të tjera (p.sh. është, përbën, rekomandon, konsiderohet).

Përgjithësisht mund të thuhet se folja themelore përdoret si bazë e ligjëratës kur duam të tregojmë veprimin, apo shumëllojshmëri të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, ndryshimet, situatat, gjendjet. Folja ndihmëse apo lidhëse përdoret për të treguar ekzistencën, praninë e kryefjalës, veçoritë dhe karakteristikat e saj. Folja themelore, ka karakter më dinamik, ndërsa folja lidhëse apo këpujë nga natyra është statike.

Si përfundim, në mënyrë metaforike mund të themi se, për nga ana e perceptimit (si mendim) dhe nga ana e të folurit (si gjuhë) ne jetojmë në “mbetërinë e foljes”. Gjithçka ekziston apo zhvillohet në shkallë të lartë për t’i shërbyer drejtpërdrejt apo tërthorazi informacionit bazë të shprehur nga folja, ndonëse nga ana komunikative theksi shprehës- emocional mund t’i përkasë ndonjë elementi tjetër të fjalisë. Prania dhe funksioni i këtij elementi tjetër (mbiemër, ndajfolje, fjali ndajfoljore, etj.) për nga origjinaliteti, fillimisht shërben ndonëse tërthorazi, për plotësimin e veprimit të foljes themelore. E njëjta gjë vlen edhe për sintaksën, pork jo realizohet me teori dhe shpjegime të ndryshme në një trajtesë tjetër.