Fjalori është një botë e veçantë, bota e fjalëve. Është bota e realitetit ashtu siç është konceptuar dhe shprehur në gjuhën e saj nga një popull i tërë. Fjalët e ruajtura në një fjalor të vlefshëm dhe të organizuar shkencërisht janë konceptet që i duheshin në praktikë një populli, para së gjithash për të menduar e më pas për të shprehur mendimet e tij, pra për të komunikuar nëpërmjet një bashkësie të tërë gjuhësore. Kjo botë së pari shprehet në fjalor dhe më pas përmes tij zbulohet për përdorim. Në botën e fjalorit nxënësi duhet të mësojë të hyjë ngadalë “me thonj të butë”; të hyjë sa më shpesh; të hyjë me çdo mundësi që i jepet. Ai duhet të mësojë të hyjë si në shtëpinë e tij, se ashtu siç themi me të drejtë, “gjuha jonë është shtëpia jonë”. Ai duhet të hyjë e të endet në fjalor si Liza në Botën e Çudirave dhe atje vetë të zbulojë vazhdimisht, me procesin krijues të befasisë, “mrekullitë e gjuhës”, këtë apo atë fjalë, këtë apo atë kuptim, të zbulojë një frazë tërheqëse, një përdorim metaforik imagjinar, një shembull të përshtatshëm përdorimi. Edhe nëse ndodh që fjalori të ketë edhe etimologjinë e fjalëve, origjinën fillestare dhe aventurën semantike të tyre, atëherë endja nëpër fjalor shndërrohet në një udhëtim magjik që mrekullon nxënësin dhe lexuesin në përgjithësi duke e ndryshuar atë nga një përdorues i thjeshtë në “dashnor” të gjuhës. Më pas, për disa, vjen një dritë, një “hir gjuhësor” që u zbulon në rrugëtimin e gjatë kërkimor sekretet dhe thesaret e gjuhës.