Gjuhëtari anglez David Crystal, duke folur për gazetën “Guardian”, tha: “Ndoshta një ditë anglishtja do të jetë gjuha e vetme që do të ketë mbetur për t’u mësuar. Nëse kjo ndodh, do të jetë fatkeqësia më e madhe intelektuale që planeti ynë ka njohur ndonjëherë”. Studiuesi Crystal, duke iu referuar vdekjes së gjuhëve, e shqiptoii frazën e shumëdiskutuar, për të treguar se mbizotërimi i një gjuhë të vetme në komunikimin mes njerëzve, cilado qoftë ajo gjuhë, sjell humbje vlerash, fatkeqësi kulturore, historike e intelektuale. Prej kohësh është I njohur fakti se nga rreth 140.000 gjuhët e përllogaritura se janë folur në botë, tashmë sot ruhen dhe janë ende në përdorim rreth 6.000 prej tyre. Nga këto, 3.000 gjuhë janë në process zhdukjeje (me ritëm rreth një gjuhë çdo javë!). Si rrjedhojë e kësaj, llogaritet që, në fund të shekullit XXI, në botë do të kenë mbetur përafërsisht , pa diskutim, vetëm rreth 600 gjuhë. Të dhënat janë vërtet shqetësuese dhe parashikimet për këtë dukuri pesimiste. Çfarë mund të bëhet? Le të shkojmë direkt në thelbin e çështjes. A kanë të ardhme gjuhët tona?
Përgjigjem: Po, nëse plotësohen disa kushte:
- a) Nëse, në sa më shumë shtete të jetë e mundur, do të ketë ndërgjegjësim të qytetarëve dhe nëse ky ndërgjegjësim do të shoqërohet me nxitje të diversitetit gjuhësor, të mësimit dhe përdorimit të sa më shumë gjuhëve, përtej gjuhës amtare.
- b) Nëse do të bëhen përpjekje që të ndërgjëegjsohet shoqëria për problemin e zhdukjes së gjuhëve, ndërkohë që «vdekja e gjuhëve”, po ndodh me ritme marramendëse.
- c) Nëse, në arsim dhe në komunikim, do të ketë kultivim praktik të shumëgjuhësisë. Të bëhet e mundur që nxënësi të mësojë më shumë gjuhë në shkollë, qoftë edhe ato më pak të folura. Gjithashtu, në institucionet e Bashkimit Evropian, në kongrese, fjalime etj., të krijohet mundësia për përdorim të më shumë gjuhëve në forma komunikimi, me ndihmën e interpretimit/përkthimit.
- d) Nëse, në një sërë gjuhësh, do t’i kushtohet vëmendje përdorimit dhe trajnimit të përkthyesve dhe interpretëve. Kjo, sepse përkthimi sjell jo vetëm mbrojtje të gjuhëve më pak të folura, por edhe dhënie atyre përparësi përkundrejt një gjuhe të vetme. Në të njëjtën kohë ky veprim krijon një burim të pashtershëm pasurimi me fjalë të reja për çdo gjuhë.
- e) Është e sigurt që , njohja dhe përdorimi i gjuhës amtare do të ndihmonte fuqishëm në përkushtimin ndaj saj të gjithkujt, gjë që do të sillte tek ta rritjen e ndjenjës së sigurisë dhe të vetëvlerësimit. Dhe të mos harrojmë: Kështjella e një gjuhe rrëzohet nga brenda. Goditet nga brenda me mënjanimin, dobësimin dhe heqjen dorë nga njohja e gjuhës amtare. Sa më mire të zotërojmë gjuhën tonë amtare, aq më e fortë është qëndresa jonë ndaj ndikimit dhe mbizotërimit të gjuhëve të huaja. Për më tepër, gjuhët më pak të folura si gjuhët tona, greqishtja dhe shqipja, kanë nevojë për përpjekje, këmbëngulje e qëndresë të fortë.

