“Arsakeio e Tiranës”: një shkollë model për arsimin dygjuhësh

“Arsakeio e Tiranës” është një shkollë dygjuhëshe greko-shqiptare, në të cilën i jepet prioritet kurrikulës në gjuhën shqipe dhe vihet theksi në formimin cilësor të nxënësve në gjuhën amtare, në kulturën, historinë dhe traditat e vendit të tyre.

Në të njëjtën kohë, ofrohet një sistem i gjuhës së dytë, i gjuhës greke, një gjuhë e spikatur që mbart kulturë. Mësimdhënies së saj i kushtohen shumë orë mësimore. Kjo u jep nxënësve tanë privilegjin të kenë kontakt me kulturën greke, një kulturë që është e lidhur drejtpërdrejt me Evropën dhe, nëpërmjet saj, me vlerat dhe kulturën evropiane, e cila do t’u sigurojë atyre një arsimim më cilësor dhe do t’i ndihmojë në të gjitha fazat e jetës së tyre.

Paralelisht, i jepet rëndësi edhe gjuhës angleze dhe kulturës përkatëse. Ecuria e saj pasqyrohet në rezultatet e dukshme, si në performancën e lartë të nxënësve në provimet e Maturës Shtetërore ashtu edhe në aftësitë e tyre në përdorimin e anglishtes.